Monday, September 21, 2015

Të dielat ‘tradicionale’

Të dielat, sidomos ato me diell janë koha kur të gjithë kanë të njejtin mendim: të hanë një drekë në periferi. Ideja në thelb, nuk është e keqe por sa herë që më vjen një propozim i tillë përpiqem t’a evitoj.
Jo sepse nuk më pëlqen të shijoj një dreke të qetë në hije, në ajër (më) të pastër apo të zbuloj shije tradicionale, por sepse eksperiencat e përsëritura kanë treguar që ka diçka që nuk shkon dhe që nuk të jep kënaqësinë e pritur.
Kisha dëgjuar për Nano Resort fjalë shumë të mira, dhe sigurisht që isha shumë e interesuar t’a provoja. Herën e parë që shkova nuk kishte vend dhe na njoftuan që duhet të rezervonim më parë. Për këtë arsye këtë herë rezervuam parapakisht, ku personi shumë i sjellshëm në telefon më shpjegoi që ora 13.00-14.00 ishte fashë shumë e zënë dhe më sugjeroi një orar pak më të vonët. Kur arritëm, teksa prisnim që të bëhej gati tavolina u endëm pak nëpër kopshte ku situata na u paraqit edhe më premtuese, sepse ato çka do provonim ishin pikërisht të kultivuara aty.


Në momentin që arritëm të uleshim në tavolinë filluan edhe problemet tona. Kisha idenë që kur rezervon, nuk të duhet të presësh 30 minuta për të hequr pjatat e klientëve përpara nesh, 20 minuta për të shtruar një mbulesë të re, 10 të tjera për të marrë porosinë e kështu me radhë deri në fund kur na u deshën rreth 40 minuta për të marrë faturën.

Është e kotë të them që patëm mundësinë të shikonim një Menu apo të bënim ndonjë proces me lezet, sepse pritja e gjatë mes çdo hallke, na shtyu që porosinë t'a jepnim sa më me ngut se ndoshta na ikte rasti.

Porosia në fakt erdhi shumë shpejt (parapërgatitja është OK me volume të tilla) dhe ushqimi ishte vërtet i prezantuar mirë dhe i shijshëm. Personalisht nuk e kam shumë përzemër ushqimin tradicional por në këtë rast pashë një trajtim shumë të kuruar të pjatave tipike, dhe kjo më pëlqeu shumë.

Antipasta e shtëpisë (Gjalpë me erëza, ullinj, domate qershi, turshi etj.)
Sallatë me disa lloje domatesh dhe disa lloje gjethesh 
Mish keci me përshesh
Djathë i bardhë në petë me susam dhe erëza
Zog i i pjekur me oriz
Ambjenti ishte vërtet i bukur dhe i kuruar por hapësira e madhe, sasia e tavolinave dhe masiviteti i klientëve e vendoste qartë stafin në vështirësi. Kamarierët tentonin të qetësonin klientët e bezdisur nga pritjet tejet të gjata, por fakti që harronin pjesë të takëmeve (për gjysmën e drekës nuk na erdhën pecetat psh.), vraponin lartë e poshtë si të çakërdisur nuk besoj se e ndihmonte ndopak situatën.
Fatura në fund nuk ishte e paarsyshme duke marrë parasysh që ambjenti, përgatitja dhe ushqimi ishin ndryshe nga standarti i zonës përreth. Për të krijuar një ide një antipastë e shtëpisë (për 4 persona) dhe dy pjata kryesore (të përbashkëta) me bazë mishi, të cilat ishin shumë të bollshme na kushtoi rreth 1500-1700 Lekë personi.

© Photo courtesy: Isi Topçiu
© Photo courtesy: Isi Topçiu

A do kthehesha përsëri?

Nuk e di nëse do kthehesha. Ndoshta do përpiqesha të evitoja të dielat, sepse mendoj që ‘E diela’ është problemi i përbashkët i të gjithë restoranteve në rrethinat e Tiranës, që nuk arrijnë të menaxhojnë drejt situatën e ngarkuar sepse punojnë vetëm një ditë (ose maksimumi dy) dhe duhet të kompesojnë pjesën tjetër financiarisht. Megjithatë e gjithë kjo më bëri të "peshoj" atë çka është më e rëndësishme në një biznes të tillë: Ushqimi apo Shërbimi. Ky është një nga rastet kur edhe një vend i pëlqyeshëm mund të kthehet në një vend të pa frekuentueshëm për shkak të shërbimit të keq, ashtu sikur se do të ishte edhe e kundërta.

Me shumë durim: Sweet!
Nëse do të më duhet të rekomandoja një vend tradicional do të ishte një opsion që do e zgjidhja por duke u parapërgatitur për pritjen e mundshme. 

No comments:

Post a Comment