Nuk di sa lokale
ka saktësisht në Tiranë, por di që ka shumë të tillë pa personalitet, shije apo
avantazh konkurrues.
Dëshira për të
patur një lokal, ku të jesh ‘pronari’ (dhe të dukesh interesant në sy të të
tjerëve) zakonisht nuk është premisë për sukses. Përvec faktit që ky është një
biznes shumë i vështirë në vetvetë, këtu në Tiranë shtohet edhe fakti që tregu
dhe konkurrenca janë në përjesëtime të
zhdrejta.
Me një fjalë kjo
punë bëhet me shumë pasion, dashuri dhe përkushtim dhe kërkon shumë investim
(financiar dhe jo)! Kështu që pas ca kohe arrin ta dallosh lehtë se cili lokal
ka pas tij një profesionist ose të paktën një person që e do vërtet këtë biznes.
Më pëlqejnë jashtë
mase vendet e vogla me personalitet e me shije dhe Hemingway Bar Tirana, është
pikërisht kështu: një oaz i vogël ku çdo gjë është me kujdes e ‘rastësishme’,
ku çdo detaj është i kuruar.
© Courtesy FB Hemingway Bar Tirana |
Zgjedhja e pijeve në Hemingway është fantastike,
me një koleksion Rum ku mund të eksperimentosh me shijet si askund tjetër. Servirja
është gjithmonë perfekte, me gotat më të veçanta, mbajtëset apo shoqërueset që
vetëm dikush që e ka aq për zemër atë vend siç është Rudi, mund të bëjë.
E veçanta është që
vendet e mira mbledhin edhe njerëz të mirë. Hemingway ka komunitetin e vet të
njerëzve të veçantë, të rehatshëm, që besojnë në diçka dhe që kanë pasionet e
tyre.
Mund të flas për
Hemingway shumë gjatë por nuk nuk dua ta zgjas shumë sepse mjafton të kalosh në
një nga rrugët më të bukura dhe të shijosh një pije atje thjesht në mes të rrugës
me pemë, ku të paktën na duket vetja sikur ende i përkasim këtij qyteti.
Natë Jazz & Bossa Nova @ Heminway Bar Tirana |
Si dikush që
gjithmonë gjen diçka për të përmirësuar e vetmja gjë që do të shtoja eshtë një
menu ushqimesh për të shoqëruar pijet e mrekullueshme, dhe këtë e them për dy
arsye: e para sepse për mua një bar i mirë duhet të shërbejë një menu ushqimesh,
dhe e dyta sepse Rudi do të përgatiste pjata të shijshme nga cepa të ndryshëm të
botës, por di edhe që e vetmja arsye që kjo nuk ndodh është sepse vendi është
shumë i vogël, kështu që nuk kam ç’them më shumë, thjesht që e dua shumë
Hemingway-n dhe nuk jam e vetmja!
Shumë 'Sweet'!