Sunday, February 14, 2016

Prapë për pizzat

Nuk e di ju, por unë jam gjithmonë në kërkim të një vendi për një pizza të mirë. Në shkrimin tim këtu, kam identifikuar dy vende që ende më pëlqejnë dhe janë më afër pizzave italiane por prapë mendoj që duhet të ketë më shumë opsione.
Për t’ju kthyer Pizza-ve, pashë në Facebook përpara disa ditësh këtë foto dhe në tekst ishte shkruar Pizza Napoletane e bla bla bla…. Që për dikë që ka provuar të dy llojet (Romanen dhe Napoletanen) dhe që preferon atë Napoletane ky ishte një lajm shumë i mirë.



Kështu shkova ta provoja me shpresën që do të gjeja vendin tim të ri të preferuar dhe gjatë gjithë kohës isha e bindur që pizza që do të vinte do ishte napoletane me 'cornicione', që do të thotë me atë brumin e ngritur rreth e përqark ashtu siç e kisha parë edhe në foto. Por jo, erdhi një petë e njëtrajtshme dhe e sheshtë, që pizzat e lagjes konkurrojnë më denjësisht. Pastaj nuk po i hy detajeve të përbërësve se sigurisht nuk kishte mozzarella (në mos kishte ndonjë nga ato versionet e lira pa shije).

Pasi u përfshiva në një debat të gjatë me kamarieren e cila më shpjegoi se si duhet ta kisha kuptuar atë çka ata kishin dashur të thoshin në Facebook, kërkova për atë që NUK ishte e shënuar në menu, por që e kisha parë në FB. 

Tani për të mos e zgjatur shumë, sa gabime mund të bësh njëherësh:
  • Marketimi i produkteve: Poston dhe komunikon jo qartë në FB  – sepse ajo që doli ishte një pizza me ‘cornicione’ por të mbushur, një sajesë që unë personalisht nuk e quaj pizza ose e quaj pizza me pite 2 në 1.
  • Transparenca e Menusë:  Nuk vendos të gjitha alternativat që ofrohet në menu – nëse pizza ka varietete nuk pritet që të marr informacion nga FB kur jam aktualisht duke ngrënë në restorantin tënd
  • Komunikimi me klientin: Që nuk jetojmë në atë vend ku ‘klienti ka të drejtë’, këtë besoj e kemi provuar të gjithë në kurriz, por seriozisht pas gjithë këtyre viteve dhe midis gjithë streseve të tjera ende duhet të bësh debat me personelin me ‘më the – të thashë’ për një shërbim që po e paguan?

SOUR! 


Tuesday, October 13, 2015

Bohemian Burgers

Ky është shkrimi i dytë për Hamburgerat, por jo sepse jam kaq e “çmendur” pas tyre, por sepse më pëqen të gjej vende që ofrojnë një risi dhe janë konceptuar ndryshe nga ato vendet ku investimi kryesor bëhet në tavane të varura dhe kolltuqe masive.
Bohemian Burgers është një vend relativisht i ri dhe ndoshta pak më larg zonave të populluara të qytetit, por përsëri i lehtë për t’u gjetur. Ambjenti i vogël dhe minimalist të imponon të jesh i shpenguar dhe shumë rehat, ku mund të lexosh edhe ndonjë libër nga këndi i librave teksa pret (pak gjatë) për Burgerin tënd. Kuzhina e dukshme të jepte një ndjesi besimi, kurse këndi i fëmijëve m’u duk shumë funksional, sidomos për faktin që zakonisht mungon nëpër bare dhe restorante se mesa duket u prish estetikën.

© Bohemian Burgers Facebook Page
© Bohemian Burgers Facebook Page

Për sa i përket menusë dhe zgjedhjeve tek Bohemian Burger, nuk mund të ankohesh sepse ka diçka për çdo shije, përfshi edhe burgers vegjetariane ose veganë, me përbërës që rrallë herë i gjen të përdorura në restorantë (tofu apo seitan psh).  Gjithashtu ka edhe një zgjedhje të mirë pijesh të bëra vetë (limonatë më xhinxher apo çaj i ftohtë ) apo supat e ditës ku ne shijuam atë me banane dhe qumësht kokosi.


Unë porosita një Persian Burger vegjetarian, me qoften me qiqra, që të them të drejtën m’u duk sikur i mungonte diçka. Ndoshta prisja që të kishte një përdorim më të fortë të erëzave karakteristike dhe shija të ishte më e theksuar. Kurse tek Bohemian Deluxe Cheese Burger i miqve të mi, mishi ishte shumë i shijshëm por do të kishte qënë mirë nëse do të ishim pyetur më parë se sa të pjekur e donim.

Bohemian Deluxe Cheeseburger 
Persian Burger
Më pëlqeu idea e kastravecëve trushi të bërë vetë, por ato nuk i jepnin mjaftueshëm atë thartësinë që ka nevojë zakonisht një burger i mirë për të qënë i balancuar. Buka gjithashtu është një tjetër element që bën diferencën dhe mendoj se duhet të ishte zgjedhur pak më me kujdes, siç ishin zgjedhur detajet e tjera.

Çmimet variojnë midis 440 dhe 640 Lekë për Burgerat, që është një çmim i pranueshëm, sidomos për faktin që kanë përbërës pak më të veçantë dhe të kushtueshëm.

Unë me siguri do të kthehem përsëri për të pruavuar të tjerë: Sweet!

Wednesday, September 30, 2015

Vende që i dua në Tiranë: Hemingway Bar Tirana

Nuk di sa lokale ka saktësisht në Tiranë, por di që ka shumë të tillë pa personalitet, shije apo avantazh konkurrues.
Dëshira për të patur një lokal, ku të jesh ‘pronari’ (dhe të dukesh interesant në sy të të tjerëve) zakonisht nuk është premisë për sukses. Përvec faktit që ky është një biznes shumë i vështirë në vetvetë, këtu në Tiranë shtohet edhe fakti që tregu dhe konkurrenca janë  në përjesëtime të zhdrejta.  
Me një fjalë kjo punë bëhet me shumë pasion, dashuri dhe përkushtim dhe kërkon shumë investim (financiar dhe jo)! Kështu që pas ca kohe arrin ta dallosh lehtë se cili lokal ka pas tij një profesionist ose të paktën një person që e do vërtet këtë biznes.

Më pëlqejnë jashtë mase vendet e vogla me personalitet e me shije dhe Hemingway Bar Tirana, është pikërisht kështu: një oaz i vogël ku çdo gjë është me kujdes e ‘rastësishme’, ku çdo detaj është i kuruar. 
© Courtesy FB Hemingway Bar Tirana
Zgjedhja e pijeve në Hemingway është fantastike, me një koleksion Rum ku mund të eksperimentosh me shijet si askund tjetër. Servirja është gjithmonë perfekte, me gotat më të veçanta, mbajtëset apo shoqërueset që vetëm dikush që e ka aq për zemër atë vend siç është Rudi, mund të bëjë.




E veçanta është që vendet e mira mbledhin edhe njerëz të mirë. Hemingway ka komunitetin e vet të njerëzve të veçantë, të rehatshëm, që besojnë në diçka dhe që kanë pasionet e tyre.
Mund të flas për Hemingway shumë gjatë por nuk nuk dua ta zgjas shumë sepse mjafton të kalosh në një nga rrugët më të bukura dhe të shijosh një pije atje thjesht në mes të rrugës me pemë, ku të paktën na duket vetja sikur ende i përkasim këtij qyteti.

Natë Jazz & Bossa Nova @ Heminway Bar Tirana
Si dikush që gjithmonë gjen diçka për të përmirësuar e vetmja gjë që do të shtoja eshtë një menu ushqimesh për të shoqëruar pijet e mrekullueshme, dhe këtë e them për dy arsye: e para sepse për mua një bar i mirë duhet të shërbejë një menu ushqimesh, dhe e dyta sepse Rudi do të përgatiste pjata të shijshme nga cepa të ndryshëm të botës, por di edhe që e vetmja arsye që kjo nuk ndodh është sepse vendi është shumë i vogël, kështu që nuk kam ç’them më shumë, thjesht që e dua shumë Hemingway-n dhe nuk jam e vetmja!

Shumë 'Sweet'!