Tuesday, October 13, 2015

Bohemian Burgers

Ky është shkrimi i dytë për Hamburgerat, por jo sepse jam kaq e “çmendur” pas tyre, por sepse më pëqen të gjej vende që ofrojnë një risi dhe janë konceptuar ndryshe nga ato vendet ku investimi kryesor bëhet në tavane të varura dhe kolltuqe masive.
Bohemian Burgers është një vend relativisht i ri dhe ndoshta pak më larg zonave të populluara të qytetit, por përsëri i lehtë për t’u gjetur. Ambjenti i vogël dhe minimalist të imponon të jesh i shpenguar dhe shumë rehat, ku mund të lexosh edhe ndonjë libër nga këndi i librave teksa pret (pak gjatë) për Burgerin tënd. Kuzhina e dukshme të jepte një ndjesi besimi, kurse këndi i fëmijëve m’u duk shumë funksional, sidomos për faktin që zakonisht mungon nëpër bare dhe restorante se mesa duket u prish estetikën.

© Bohemian Burgers Facebook Page
© Bohemian Burgers Facebook Page

Për sa i përket menusë dhe zgjedhjeve tek Bohemian Burger, nuk mund të ankohesh sepse ka diçka për çdo shije, përfshi edhe burgers vegjetariane ose veganë, me përbërës që rrallë herë i gjen të përdorura në restorantë (tofu apo seitan psh).  Gjithashtu ka edhe një zgjedhje të mirë pijesh të bëra vetë (limonatë më xhinxher apo çaj i ftohtë ) apo supat e ditës ku ne shijuam atë me banane dhe qumësht kokosi.


Unë porosita një Persian Burger vegjetarian, me qoften me qiqra, që të them të drejtën m’u duk sikur i mungonte diçka. Ndoshta prisja që të kishte një përdorim më të fortë të erëzave karakteristike dhe shija të ishte më e theksuar. Kurse tek Bohemian Deluxe Cheese Burger i miqve të mi, mishi ishte shumë i shijshëm por do të kishte qënë mirë nëse do të ishim pyetur më parë se sa të pjekur e donim.

Bohemian Deluxe Cheeseburger 
Persian Burger
Më pëlqeu idea e kastravecëve trushi të bërë vetë, por ato nuk i jepnin mjaftueshëm atë thartësinë që ka nevojë zakonisht një burger i mirë për të qënë i balancuar. Buka gjithashtu është një tjetër element që bën diferencën dhe mendoj se duhet të ishte zgjedhur pak më me kujdes, siç ishin zgjedhur detajet e tjera.

Çmimet variojnë midis 440 dhe 640 Lekë për Burgerat, që është një çmim i pranueshëm, sidomos për faktin që kanë përbërës pak më të veçantë dhe të kushtueshëm.

Unë me siguri do të kthehem përsëri për të pruavuar të tjerë: Sweet!