Tuesday, October 7, 2014

Po të bie sheqeri? Shko tek Cinnabon

E dija prej kohësh që Cinnabon do të vinte në Shqipëri, dhe sigurisht që isha kurioze t’a provoja duke qenë se nuk kam ndonjë lidhje me Amerikën, kuptohet përveç mediave.

Është e kuptueshme që një vend i vogël si ne, ku për një kohë të gjatë kanë munguar kompanitë globaliste, të ketë dëshirën të provojë ato që ka parë për vite me radhë në media, por nga ana tjetër është gati ironike se si në kohën kur SHBA po përpiqet të sensibilizojë popullsinë e saj për dëmet e shkaktuara nga sheqeri dhe industria e ushqimeve të shpejta dhe të procesuara, ne mezi presim t’i përqafojmë këto produkte që, për më tepër nuk janë as në stilin tonë të jetesës.

Megjithatë, kthehemi tek Cinnabon ku gjithsej do të gjeni 3 lloje Cinnabon-ësh me 3 shije të ndryshme: kanellë, çokollatë dhe arrë pekane (varietet arre i jugut të Amerikës), secila prej tyre në variantet classic, mini dhe bites si edhe 2-3 lloje Cupcakes (vanilje, çokollatë dhe Red velvet).
Për sa i përket roleve me kanellë, mund të them që kanë diçka të lezetshme, por janë tejet të rënda dhe të sheqerosura. Një miku im më tha: “Ato haen vetëm njëherë se të mbetet kanella në gojë 2 ditë” dhe në fakt tek roleja me kanellën Indoneziane (siç marketohet), është tejet e fortë shija dhe aroma e kanellës sa bëhet mbytëse gati. Për dy llojet e tjera vlen pak a shumë e njejta histori, të ëmbla, të rënda dhe shumë velëse.

Cinnabon me çokollatë

Cinnabon me arrë pekane e karamel

Meqënëse jam fanse e madhe e Cupcake-ve sigurisht që provova edhe ato. Por edhe në këtë rast zhgënjimi ishte i njejtë. Provova një me vanilje klasike dhe një Red velvet. Ai me vanilje nuk ishte ndonjë çmenduri shije por të paktën nuk më vendosi në dyshim nëse po haja kek apo lapsa prej dhjami, si në rastin e Red velvet. Brumi ishte aq i qullët sa më mbeti në qiellzë dhe ideja e një keku aq të ngjyrosur nëpër gojë vërtet më bezdisi.

Në këtë rastin e Red velvet, në fakt u tregova pak "naive" se pyeta stafin e shërbimit se me çfarë ishin cupcakes dhe ato më shpjeguan që ishin me çokollatë, me vanilje dhe miks…dhe unë zgjodha këtë të fundit që për shkak të kremit sipër dhe paketimin anash nuk kuptohej që ishte Red velvet, por gabimi im se këtu vlen gjithmonë ajo shprehja “beso e kontrollo”. Do thoni po s’ka gjë se nuk është helm. Po, dakord jam unë, por po sikur të kem ndonjë alergji unë dhe nuk mund ta konsumoj atë produkt? Pastaj meqë ne nuk e kemi për gjë nëse informohemi apo jo për çka hamë, përse të mos marrim diçka të mirë nga këto kompanitë e mëdha globaliste që dijnë ca gjëra më tepër për shërbimin dhe produktet?
Cupcake me vanilje
Red Velvet Cupcake


Thursday, September 18, 2014

Dtown, është shumë OK!

Dua t’a nis me një pyetje: Përse një restorant bëhet i famshëm?
Për mua përgjigja e “shëndetshme” do ishte:

“Sepse ka një shërbim të mirë, ka një atmosferë të pëlqyeshme, ka raport të drejtë cilësi-çmim, dhe -më e rëndësishmja- ka ushqim të mirë, se prandaj shkojmë në restorant, për të shijuar, për të marrë atë që nuk e bëjmë dot në shtëpi, që do të na impenjonte tepër, ose që thjesht nuk dimë t'a realizojmë.”

Kështu kur shkoj diku për të darkuar apo drekuar, analiza ime kalon nëpër këto pika, dhe nëse të gjitha pyetjet marrin përgjigje pozitive, atëhere gjasat janë që të rikthehem, dhe shpesh madje.
Kështu më ndodhi me Dtown. Kur shkova për herë të parë nuk e dija çfarë të prisja, por që nga momenti që kam provuar pjatën e parë të menusë dhe deri dje kur provova disa nga pjatat e reja, gëzoj për faktin që gjthçka është  kaq ‘avant-garde’ (për Shqipërinë). Më pëlqen shumë fakti se si është konceptuar menuja dhe  përzgjedhur pjatat në të, sa të veçanta aq edhe të momentit (sepse edhe ushqimet kanë modë). Paraqitja e pjatave është shumë estetike, cilësia është gjithmonë koherente. Për më tepër është i vetmi ose nga të pakta vende që bëjmë ‘Brunch’ të vërtetë…me një fjalë më pëlqen shumë dhe më duket sikur ai vend flet gjuhën time.

Sunday Brunch @Dtown
Tani po pyesni me vete, çfarë ka që nuk shkon? Asgjë. Është çdo gjë shumë në rregull, vetëm që klientela është më së shumti e huaj! S’ka shqiptarë, përveç ndonjë tek-tuk.  Nuk e di përse-në, por duke qënë pjesë e sektorit mund të them që ndoshta ngaqë nuk është vend nga ato vendet ku bëhet ‘check-in’ dhe ndoshta do pak më tepër kohë për t'u zbuluar.
Për t’ju kthyer pyetjes së fillimit, dhe argumentit që ushqimi është faktori më i rëndësishëm në një restorant, çfarë duhet të bëjë një restorant për t’u bërë i famshëm?

a) Duhet të ofrojë ushqim –alla junk food 
    (krahë pule të epokës së akullnajës - zbulimi më i madh kulinar i lokaleve të bllokut)
b) Duhet të shërbejnë të njëjtin ushqim  përsëri e përsëri
    (makarona gjithandej- pene, jo pene, me pana pa pana etj.)
c) Duhet të shesë mish me kile
    (pjesë të një kafshe të sakatuar pa anatomi të shërbyera 'kapic')
d) Apo më mirë peshk me kile 
    (2-3 kile karkaleca krudo dhe kolesteroli në qiell, nëse nuk helmohemi para)
e) Qofte
    (për këto nuk kam c’them se ka nga 2-3 dyqane në çdo rrugë dhe suksesi është i qartë)
f) Asnjë më sipër! J

Më poshtë disa foto pjatash shumë të shijshme nga menuja e Dtown teksa i përgjigjeni pyetjes më sipër….dhe siç them gjithmonë: Kujdes çfarë fusni në gojë! :P

Pastilla marokene

Klasike e "Brunch": French toast aka Bukë me vezë

Tjetër klasike e "Brunch": Eggs Benedict

Salmon Gravlax


Monday, August 11, 2014

Cyclades

Edhe pse qëllimi i krijimit të këtij blogu, ka qënë (dhe ende është) sugjerimi i restoranteve e bareve interesante nëpër Shqipëri, ndonjëherë nuk i rezistoj dot tundimit që të tregoj për vende të bukura e interesante edhe jashtë.  Fundja nuk i dihet, mund t’ju hyjë në punë sugjerimi nëse keni vendosur të shkoni me pushime në Greqi.
Ishte afërmendsh që këtë vit të mos qëndroja në Shqipëri për pushime, pas zhgënjimeve seriale nëpër jugun tonë, sepse siç kam treguar edhe këtu nuk mendoj që ai lloj turizmi çnjerëzor duhet të ndihmohet financiarisht nga ne…dhe jo, nuk kushton më lirë!
Këtë vit, e inkurajuar nga miku im më i mirë (H.L) u mblodhëm një grup simpatik dhe vendosëm të vizitonim shkurtimisht ishujt Cikladikë, Syros, Ios dhe Santorini. Koha ishte vërtet e shkurtër për të shijuar plotësisht secilin prej tyre - njëri më i bukur se tjetri- por përsëri eksperienca ishte shumë e bukur.

Syros
Është qendra administrative e Cikladeve. Është ishull jo shumë i populluar me turistë dhe relativisht pak i marketuar dhe si rrjedhim çmimet nuk janë aq të larta sa në Mykonos ose Santorini. Në Syros pjesa veriore e ishullit është e pabanuar dhe të gjitha plazhet mund të vizitohen me varkë ku mund të bësh plazh në gjire tërësisht të virgjëra. Brenda në qytet ka vetëm një plazh ku ndodhet edhe Asteria Beach Bar që përgjatë gjithë ditës krijon një atmosferë të mrekullueshme për të gjitha shijet dhe moshat, dhe ku muzika tejet e mirë nuk të “çan veshët”.

Pamje e Syros

Asteria Beach Bar

Pamje e plazhit Asteria
Ndërsa vendi im i preferuar për të darkuar u bë Elliniko Kafeneio, një Resto-Bar i shkëlqyer me kombinimin më të mirë ambjent i bukur-shërbim i mirë- pjata shumë të mira dhe çmim mëse normale. 
Mos lini pa provuar: Kaperit e freskët të zones që janë shumë ndryshe nga ato të konservuarit që gjen në supermarket.

Ambejnti i brendshëm i Elliniko Kafeneio

Cous Cous me peshk dhe erëza

Djathë i pjekur i zonës me reçel limoni dhe reçel domate

Akullore me Fëstek dhe Kajmak
Ios
Ios është një ishull që po fiton shumë famë për plazhet e bukura, dhe gjithmonë e më shumë turista të rinj po e vizitojnë duke e kthyer në një Mykonos pak më social.
Në plazhin e madh më të afërt me qendrën e qytetit, Mylopotas, atmosfera ishte shumë rinore dhe e gëzueshme, kështu që edhe ne u përfshinë në të dhe vendosëm të provonim disa kokteje në njërin prej shumë Beach bars aty. Në vendet turistike, dhe sidomos në zona shumë të populluar nuk qëllon gjithmonë në shënjë me zgjdhjen, por ne si duket patëm fat, dhe bari që vendosëm të qëndronim quhej Cantina del Mar ofronte snacks, kafe dhe cocktails shumë të mirë.

Pamja e Cantina del Mar

Mojito me Ginger
Në darkë, pasi konsultuam Lonely Planet, zgjdhëm një restorant në qendrën e qytetit të quajtuar Katogi. Restoranti ishte shumë i famshëm dhe e patëm pak të vështirë të gjenim vend, por falë shërbimit të shkëlqyer arritëm të sistemoheshim dhe të darkonim këndshëm.

Katogi Veranda


Santorini
Santorini në Gusht është një rrëmujë e tmerrshme dhe gati çdo hotel në ishull është i zënë, megjithatë pasi ke parë disa nga ishujt Cikladikë e kupton menjëherë që është shumë ndryshe, prandaj është më I famshmi. Për fat të keq nuk qëndruam dot shumë por shpresoj vërtet të rikthehem sepse kam një dëshirë të jashtëzakonshme t’a eksploroj.

Ishulli i Santorinit

Perëndimi nga anija
Përveç plazheve që sigurisht që duhen vizituar të gjithë, pamja e perëndimit nga Oia ose nga varka është për të mos u humbur. Diçka që edhe mund ta humbisni, është vizita në vullkan, sepse vërtet është një atraksion turistësh pa interes. Koha në Santorini iku shumë shpejt dhe në fakt dhe mbetëm më një ndjenjë pamjaftueshmërie, që na mërziti disi, por darka në restorantin Ladokolla na e hoqi mërzinë me pjatat e shkëlqyera dhe me çmimet shumë të pranueshme jo vetëm sipas standardit të Santorinit.  Këtu përveç të tjerave provuam edhe birrën shumë të shijshme tipike të Santorinit te quajtur Red Donkey (meqë gomari është hajmalia e ishullit). 

Kallamarë i skarës, i pjekur në perfeksion

Birra e Santorinit

Sallata e Santorinit, një version i sallatës tipike greke

Thursday, January 23, 2014

Ku të shkojmë për…Hamburger!

Mbaj mend që dikur (në fillimet e viteve ’90) Hamburgeri ishte ylli i kioskave të para të kuqe/portokalli tek Parku Rinia, ishte një kënaqësi e madhe e cila u venit me kalimin e viteve e nuk u kthye më. Nuk është kthyer as sot, kur Chef-at që mbajne yje Michelin sfidojnë njeri tjetrin për recetën më të mirë të Hamburgerit ‘Gourmet’ apo hapin restorante (jo fast foods) për Hamburgers.

E di, është e paevitueshme që kur mendon për Hamburger të mos mendosh për Fast Food, Junk Food e të tjera ‘ligësi globaliste’ por me përbërësit e duhur dhe jashtë kornizës së Fast Food-it, mund të jetë vërtet shumë I shijshëm.
Pikërisht për t’i rikthyer Hamburgerit artizanal vëmendjen e duhur, në këtë listë nuk janë përfshirë (qëllimisht), rrjetet lokale apo ndërkombëtare të Fast Foods.

Mua dhe mikut tim Hamburger-dashës, Gentit, që më ndihmoi t'i gjykonim Hamburgerat me shumë paanësi, na u deshën rreth 2 muaj për të vizituar të gjitha vendet që shërbenin Hamburger.
Ato që pamë me vëmendje ishin:
  •  Mishi (shija, marinimi, pjekja),
  • Përbërësit bazë (buka, sallata, domate, kastraveci turshi, salca, qepët),
  • Risia (nëse kishte një risi në recetë, përbërës, servirje etj),
  • Çmimi (raporti cilësi-çmim)
Dtown
Mendoj që kam gjetur më në fund Hamburgerin më të mirë në qytet! 
Dtown është një restorant i vogël dhe relativisht i ri me kuzhinë amerikane, i cili servir edhe Hamburger midis pjatave të tjera interesante. Si fillim me pëlqeu fakti që më pyetën se sa të pjekur e doja Hamburgerin, gjë që nuk ndodhi në vendet e tjera. Më pas, u kënaqa shumë me përbërësit e 'paketuar' brenda Hamburgerit: kishte gjithçka duhet dhe disa të tjerë të veçantë. Në fund, çmimi i tij ishte në raportin më të mirë cilësi-çmim që kam hasur deri tani (600 Lekë). 




Qendra Stefan
Hamburgeri I përmbante të gjithë përbërësit e duhur, duke filluar nga lloji i bukës (që ndoshta duhej thekur pak më tepër) e deri tek garniturat. Mishi në fillim kur ishte ende I ngrohtë ishte mjaftueshëm i lëngshëm por pasi u ftoh filloi të thërmohej, por ajo që nuk na pëlqeu në fakt, ishte shija e mishit, I cili ose nuk ishte marinuar siç duhet ose nuk ishte I përgatitur vetë, por i blerë I gatshëm. Meqënëse mishi është baza e Hamburgerit të mirë I dhamë:




Viva (el Mexicano)

Kjo ishte një risi për mua dhe besoj për shumë të tjerë që janë mësuar me një tjetër imazh të Viva.
Për mua Hamburgeri I VIVA ishte një surprizë. Mishi ishte i gatuar mirë, i pasuruar me erëza, dhe mesatarisht I lëngsgëm (që për mua është ok, por për dikë që I pëlqen mishi pak më I butë ndoshta duhet ta kërkojë specifikisht). Prezantimi mjaft I mirë, përbërësit bazë të gjithë ok por buka shumë e vogël dhe jo krokante edhe pse e ëmbël siç duhet, domatja dhe qepa të prera shumë trashë. Patatet e skuqura të servirura ndryshe dhe me erëza të veçanta. Do ti kishim dhënë më shumë pikë por çmimi i lartë (midis 750-1000 Lekë) e uli pak vlerësimin e përgjithshëm.


Vila Ferdinand

Mishi i pjekur mirë dhe i shijshëm, mund të themi një mish i mirë-përgatitur Hamburgeri. Salcat dhe përbërësit e tjerë mesatarë, duke filluar që nga buka që është e njëjtë më tëgjithë paninet e sanduiçët që serviren aty e deri Ketchup-I e majoneza të cilësisë së ulët për Fast Food-e masive. Hamburgeri kishte 2 qofte që e bënte tepër voluminoz por që nga ana tjetër justifikonte plotësisht çmimin.



Artigiano

Tenton të sjellë ndryshe një klasik, por nga ana  tjetër nuk duhet të humbasë thelbi i pjatës. Kur shkuam për ti provuar për herë të parë Hamburgerat ishin shumë të thatë dhe buka ishte e papërshtatshme. Pas disa kohësh shkova përsëri sepse pashë që kishin Hamburgerë të rinj në menu. Hamburgeri i ri që provova ishte më i mirë, me më shumë përbërës por mishi përsëri pak i thatë dhe buka përsëri ishte me brumë Pizza. Në rastin e Artigiano-s nuk mendoj se produkti kryesoj është Hamburgeri por gjithësesi vlerësoj faktin që punojnë për të ndryshuar apo përmirësuar produktet e tyre.



Shakesbeer

Si gjithmonë ne porositëm dy Hamburgers të ndryshëm, në këtë rast një American Beef Burger dhe një Chicken Burger. Në fakt nuk jam e sigurte nëse provuam një Hamburger pule dhe një viçi sepse e vetmja gjë që mundëm të nuhasnim dhe shijonim ishte salçiçet ose mishi I pjekur më parë në të njëjtën grill. Buka ishte e mirë por jo buka tipike pak e ëmbël e Hamburgerit (Bun), përbërësit e tjerë mesatarë, asgjë speciale.



Serendiville

Kisha provuar më parë Hamburger tek Serendipity dhe më kishte pëlqyer, kështu që vendosëm të provojmë Serendiville. Duke pranuar faktin që Hamburgeri nuk është specialitet I lokalit, dhe askush nuk shkon tek Serendiville për të (ne duhet të kemi qënë të parët), kjo nuk  justifikon që Hamburgeri Tex Mex, që nuk ishte as Tex e as Mex dhe që nuk kishte asgjë që të quhej një Hamburger. Nuk kishte as mishin e gatuar mirë, as bukën e përshtatshme, as prezantimin e duhur, por ama kishte …fasule (?!) ndoshta kjo me shpresën për ta bërë kreativ,  por ne nuk arritëm dot ta mbaronim.