Tuesday, October 7, 2014

Po të bie sheqeri? Shko tek Cinnabon

E dija prej kohësh që Cinnabon do të vinte në Shqipëri, dhe sigurisht që isha kurioze t’a provoja duke qenë se nuk kam ndonjë lidhje me Amerikën, kuptohet përveç mediave.

Është e kuptueshme që një vend i vogël si ne, ku për një kohë të gjatë kanë munguar kompanitë globaliste, të ketë dëshirën të provojë ato që ka parë për vite me radhë në media, por nga ana tjetër është gati ironike se si në kohën kur SHBA po përpiqet të sensibilizojë popullsinë e saj për dëmet e shkaktuara nga sheqeri dhe industria e ushqimeve të shpejta dhe të procesuara, ne mezi presim t’i përqafojmë këto produkte që, për më tepër nuk janë as në stilin tonë të jetesës.

Megjithatë, kthehemi tek Cinnabon ku gjithsej do të gjeni 3 lloje Cinnabon-ësh me 3 shije të ndryshme: kanellë, çokollatë dhe arrë pekane (varietet arre i jugut të Amerikës), secila prej tyre në variantet classic, mini dhe bites si edhe 2-3 lloje Cupcakes (vanilje, çokollatë dhe Red velvet).
Për sa i përket roleve me kanellë, mund të them që kanë diçka të lezetshme, por janë tejet të rënda dhe të sheqerosura. Një miku im më tha: “Ato haen vetëm njëherë se të mbetet kanella në gojë 2 ditë” dhe në fakt tek roleja me kanellën Indoneziane (siç marketohet), është tejet e fortë shija dhe aroma e kanellës sa bëhet mbytëse gati. Për dy llojet e tjera vlen pak a shumë e njejta histori, të ëmbla, të rënda dhe shumë velëse.

Cinnabon me çokollatë

Cinnabon me arrë pekane e karamel

Meqënëse jam fanse e madhe e Cupcake-ve sigurisht që provova edhe ato. Por edhe në këtë rast zhgënjimi ishte i njejtë. Provova një me vanilje klasike dhe një Red velvet. Ai me vanilje nuk ishte ndonjë çmenduri shije por të paktën nuk më vendosi në dyshim nëse po haja kek apo lapsa prej dhjami, si në rastin e Red velvet. Brumi ishte aq i qullët sa më mbeti në qiellzë dhe ideja e një keku aq të ngjyrosur nëpër gojë vërtet më bezdisi.

Në këtë rastin e Red velvet, në fakt u tregova pak "naive" se pyeta stafin e shërbimit se me çfarë ishin cupcakes dhe ato më shpjeguan që ishin me çokollatë, me vanilje dhe miks…dhe unë zgjodha këtë të fundit që për shkak të kremit sipër dhe paketimin anash nuk kuptohej që ishte Red velvet, por gabimi im se këtu vlen gjithmonë ajo shprehja “beso e kontrollo”. Do thoni po s’ka gjë se nuk është helm. Po, dakord jam unë, por po sikur të kem ndonjë alergji unë dhe nuk mund ta konsumoj atë produkt? Pastaj meqë ne nuk e kemi për gjë nëse informohemi apo jo për çka hamë, përse të mos marrim diçka të mirë nga këto kompanitë e mëdha globaliste që dijnë ca gjëra më tepër për shërbimin dhe produktet?
Cupcake me vanilje
Red Velvet Cupcake