Monday, August 11, 2014

Cyclades

Edhe pse qëllimi i krijimit të këtij blogu, ka qënë (dhe ende është) sugjerimi i restoranteve e bareve interesante nëpër Shqipëri, ndonjëherë nuk i rezistoj dot tundimit që të tregoj për vende të bukura e interesante edhe jashtë.  Fundja nuk i dihet, mund t’ju hyjë në punë sugjerimi nëse keni vendosur të shkoni me pushime në Greqi.
Ishte afërmendsh që këtë vit të mos qëndroja në Shqipëri për pushime, pas zhgënjimeve seriale nëpër jugun tonë, sepse siç kam treguar edhe këtu nuk mendoj që ai lloj turizmi çnjerëzor duhet të ndihmohet financiarisht nga ne…dhe jo, nuk kushton më lirë!
Këtë vit, e inkurajuar nga miku im më i mirë (H.L) u mblodhëm një grup simpatik dhe vendosëm të vizitonim shkurtimisht ishujt Cikladikë, Syros, Ios dhe Santorini. Koha ishte vërtet e shkurtër për të shijuar plotësisht secilin prej tyre - njëri më i bukur se tjetri- por përsëri eksperienca ishte shumë e bukur.

Syros
Është qendra administrative e Cikladeve. Është ishull jo shumë i populluar me turistë dhe relativisht pak i marketuar dhe si rrjedhim çmimet nuk janë aq të larta sa në Mykonos ose Santorini. Në Syros pjesa veriore e ishullit është e pabanuar dhe të gjitha plazhet mund të vizitohen me varkë ku mund të bësh plazh në gjire tërësisht të virgjëra. Brenda në qytet ka vetëm një plazh ku ndodhet edhe Asteria Beach Bar që përgjatë gjithë ditës krijon një atmosferë të mrekullueshme për të gjitha shijet dhe moshat, dhe ku muzika tejet e mirë nuk të “çan veshët”.

Pamje e Syros

Asteria Beach Bar

Pamje e plazhit Asteria
Ndërsa vendi im i preferuar për të darkuar u bë Elliniko Kafeneio, një Resto-Bar i shkëlqyer me kombinimin më të mirë ambjent i bukur-shërbim i mirë- pjata shumë të mira dhe çmim mëse normale. 
Mos lini pa provuar: Kaperit e freskët të zones që janë shumë ndryshe nga ato të konservuarit që gjen në supermarket.

Ambejnti i brendshëm i Elliniko Kafeneio

Cous Cous me peshk dhe erëza

Djathë i pjekur i zonës me reçel limoni dhe reçel domate

Akullore me Fëstek dhe Kajmak
Ios
Ios është një ishull që po fiton shumë famë për plazhet e bukura, dhe gjithmonë e më shumë turista të rinj po e vizitojnë duke e kthyer në një Mykonos pak më social.
Në plazhin e madh më të afërt me qendrën e qytetit, Mylopotas, atmosfera ishte shumë rinore dhe e gëzueshme, kështu që edhe ne u përfshinë në të dhe vendosëm të provonim disa kokteje në njërin prej shumë Beach bars aty. Në vendet turistike, dhe sidomos në zona shumë të populluar nuk qëllon gjithmonë në shënjë me zgjdhjen, por ne si duket patëm fat, dhe bari që vendosëm të qëndronim quhej Cantina del Mar ofronte snacks, kafe dhe cocktails shumë të mirë.

Pamja e Cantina del Mar

Mojito me Ginger
Në darkë, pasi konsultuam Lonely Planet, zgjdhëm një restorant në qendrën e qytetit të quajtuar Katogi. Restoranti ishte shumë i famshëm dhe e patëm pak të vështirë të gjenim vend, por falë shërbimit të shkëlqyer arritëm të sistemoheshim dhe të darkonim këndshëm.

Katogi Veranda


Santorini
Santorini në Gusht është një rrëmujë e tmerrshme dhe gati çdo hotel në ishull është i zënë, megjithatë pasi ke parë disa nga ishujt Cikladikë e kupton menjëherë që është shumë ndryshe, prandaj është më I famshmi. Për fat të keq nuk qëndruam dot shumë por shpresoj vërtet të rikthehem sepse kam një dëshirë të jashtëzakonshme t’a eksploroj.

Ishulli i Santorinit

Perëndimi nga anija
Përveç plazheve që sigurisht që duhen vizituar të gjithë, pamja e perëndimit nga Oia ose nga varka është për të mos u humbur. Diçka që edhe mund ta humbisni, është vizita në vullkan, sepse vërtet është një atraksion turistësh pa interes. Koha në Santorini iku shumë shpejt dhe në fakt dhe mbetëm më një ndjenjë pamjaftueshmërie, që na mërziti disi, por darka në restorantin Ladokolla na e hoqi mërzinë me pjatat e shkëlqyera dhe me çmimet shumë të pranueshme jo vetëm sipas standardit të Santorinit.  Këtu përveç të tjerave provuam edhe birrën shumë të shijshme tipike të Santorinit te quajtur Red Donkey (meqë gomari është hajmalia e ishullit). 

Kallamarë i skarës, i pjekur në perfeksion

Birra e Santorinit

Sallata e Santorinit, një version i sallatës tipike greke

No comments:

Post a Comment