Wednesday, November 14, 2012

Ibiza - Ishulli që nuk ...njeh krizë


Si përfundim momentin e fundit vendosa të shkoj në Ibiza vërtet, dhe ishte ashtu siç mendohet të jetë: e zhurmshme, kaotike, ritmike dhe e pagjumë.


Dua të jap disa sugjerime për ata që mund të jenë kuriozë, edhe pse është jashtë ‘teme” meqënëse fokusi është shqipëria, dhe jashtë ‘stine’ meqënëse nuk është periudha e përgatitjeve për pushimet verore.
Turizmi jonë ka ende për të mësuar shumë, dhe është shumë larg të qënit siç duhet, por asnjë vend nuk është perfekt. Vazhdoj të besoj se diferencimi i shërbimeve dhe produkteve do të sillte një përmirësim, dhe njëkohësisht edhe një thyerje të steriotipeve të mënyrës së jetesës.”  
Ajo çka më pëlqeu?

·         Festat
Festat e gjata dhe klubet me kapacitete deri në 10 000 vetë janë arësyeja kryesore pse të rinjtë nga çdo cep i botës mbidhen atje për të festuar.
Në 5 diskotekat më gjigande dhe në modë (Pacha, Space, Ushuaia, Privilege, Amnesia etj) luajnë brenda natës shumë Dj të famshëm, të cilët ose luajnë njëkohësisht ose krijojnë line up-e që zgjasin deri në 24 orë. Eksperienca është fantastike: muzika e duhur, njerëzit me qëndrimin e duhur dhe me vetëdijen përse janë aty, atmosfera madhështore.
Për ata që duan muzikën, pavarësisht zhanrit, është vërtet një eksperiencë e bukur sidomos pasi ke kaluar një vit në ato pak klubet e Tiranës duke dëgjuar të njejtat këngë për 3 vjet rresht mes një turme të flashkët.
Nga ana tjetër klubet e Ibizës janë edhe motorri kryesor i gjenerimit të të ardhurave në ishull, sepse billboardet janë te veshura më reklamat e dj-ve që luajnë, kudo nëpër rrugë shiten biletat e eventeve, rrugët janë plot me dyqane dhe tezga që shesin materialet promocionale zyrtare ose jo të tyre dhe pyetja që bëhet më shpesh është: “në cilën festë do shkoni sot?” 

Festat e Cream Ibiza, të enjteve në Amnesia
Ritchie Hawtin @ Ushuaia
Ora 18.00 @ Ushuaia
Luciano @ Ushuaia
            Natyra

Cala Bassa
Për shkak të ritmit dhe dinamikës së festave mbetet relativisht pak kohë për të vizituar ishullin.  Megjtihatë ja vlen ta ‘torturosh’ pak vehten dhe të shohësh disa nga plazhet e gjiret përreth ishullit, si dhe Formentera-n, ishullin e vogël ekologjik dhe të qetë të Ibizës. Fantastike! E gjithë panorama ka diçka ndryshe nga vendet përreth nesh, ndoshta diçka më ekzotike. Në fund ajo ç’ka është më e mira, është që mund ta shijoje atë natyrë aq të bukur në plazhet e shumta natyraliste apo qoftë në plazhet private me ndërtime shumë mirë të menduara dhe estetike, që të lejojnë të shijosh gjithsesi bukurinë e natyrës Balearike. 

Pra, shënoni që një vizitë në Formentera duhet ta bëni patjetër, qoftë me tragetet nga Eivissa (porti i Ibiza-s) dhe të kaloni ditën atje, ose me anijet ku gjatë rrugës ka pije, muzikë dhe festë ose siç njihen si “Boat Party”. Të tjera plazhe shumë të bukura janë gjiret (që quhen 'Cala') në pjesën veri perëndimore të ishullit ku nuk duhet humbur perëndimi i diellit sepse është vërtet i bukur.

Formentera
Perëndimi në Formentera
Cala Conte

Perëndimi në Cala Conte
Sunset Ashram Restaurant

Ajo çka nuk më pëlqeu?

·         Çmimet
 Është më se e kuptueshme përse çmimet janë aq të larta, dhe nuk mund të them që është diçka e papritur. Nga ana tjetër perceptimi ndryshon edhe në varësi të nivelit ekonomik të secilit, megjithatë duhet patur parasysh që për një përson në një javë duhen të paktën 1500 Euro që të mund të përballosh, fjetjen, ushqim (jo gjithmonë në restorante), hyrjet në festa, pijet dhe ndonjë shpenzim tjetër, ndërsa udhëtimi shkon minimalisht 300 Euro me udhetimet low cost, të cilat të kufizojnë shumë edhe lidhur me nr e bagazheve dhe peshën e tyre. Ajo që do t’ju shpenzojë janë biletat e klubeve të cilat për festat më të mira (dhe më të gjata) kushtojnë deri 70 Euro, pa përfshirë asnjë pije. Për festat më të ‘mërzitshme’ ose të dhurojnë promotorët free pass gjatë ditës ose çmimi ulet deri në 30 Euro. Pijet kushtojnë rreth 15 Euro në klubet më të mëdha. Kuptohet këto janë çmime reference, shpenzimet varen gjithmonë nga ato që dëshironi të bëni.
Në plazhet private në përgjithësi të rinjtë nuk marrin çadra apo shazllongje me qera, sepse kushtojnë nga 30-50 Euro në vendet më të mira. Restorantet gjithashtu janë mjaft të shtrenjta dhe duhet llogaritur një çmim nga 30-50 Euro për një drekë/darkë të mirë.  

·         Promotorët
Një pjesë shumë e madhe e të rinjve që popullojnë ishullin, punojnë aty si personel shërbimi dhe si promotorë. Clubet e mëdha, punësojnë të rinj për të shitur biletat për të cilat ata marrin përqindje. Kështu promotorët janë agjentë shitjesh të cilët në varësi të aftësisë së tyre për të folur gjuhë të ndryshme, apo për të ‘hyrë në muhabet’ përpiqen të të bindin përse duhet të shkosh në një festë dhe jo në një tjetër.
Problemi është që janë vërtet shumë promotorë dhe aq shumë bare/clube/plazhe që përdorin promotorë sa është e pamundur të flasësh me secilin prej tyre, dhe qasjet e tyre të vazhdueshme bëhen të bezdisshme pas një farë kohe. 


CBbC @ Cala Bassa
CBbC Restaurant @ Cala Bassa

Përpos këtyre, duke patur profilin e një vendi të populluar nga turistë shërbimi jo kudo është më i miri dhe ndodh shumë shpesh, sidomos në qendër, të pish kafe shumë të keqe, të hash ushqim shumë të keq, të pish pije të këqija dhe të bësh plazh në plazhe jo fort të pastra. Po, ka edhe kështu, madje mu në qendër në Platja d’en Bossa apo në Bora Bora, plazhin e famshëm. Megjithatë, si kudo, vendet ku shkojnë masivisht turistët nuk janë zgjdhja e duhur, madje janë parimisht ajo që duhet evituar, por ka aq shumë vende të tjera të mrekullueshme, ku mund të provosh specialitete nga më të ndryshmet, të marrësh shërbim shumë të mirë, sigurisht në varësi edhe të asaj që paguan.
Ajo që më pëlqen shumë në vendet turistike jashtë shqipërisë është gjithmonë mundësia për të zgjedhur shërbimin sipas shijes dhe mundësisë, me një fjalë: Ka për të gjithë! 
 
Ciao Ciao Restaurant @ Playa D'en Bossa
Sweet!