Friday, November 8, 2013

Gourmet, alla shqiptare.

Më zbavit shume soditja e fenomeneve dhe tendencave që qarkullojnë në momente të caktuara këtu në Tiranë. Sigurisht kjo e mundësuar dhe e lehtësuar nga mediat sociale ku çdo informacion merr dhenë brenda orës. Kështu shumë shpejt popullohen baret, restorantet, lindin fiksimet për gatime të ndryshme, apo për produkte që më para nuk njiheshin. Shoh gjithashtu një tendencë për të rafinuar produktet dhe për të zgjeruar gamën nga ana e restoranteve të cilën personalisht e vlerësoj shumë duke marrë parasysh se sa e vështirë është të gjesh produkte cilësore dhe specifike në tregun tonë. Kur kujtoj që dikur menutë e restoranteve ishin plot me tortelini pana proshutë mendoj që ka një tendencë shumë pozitive për të ndryshuar dhe për t’u përmirësuar. Sigurisht përmirësimi ka koston e vet, dhe nëse pjatat kanë 20 përbërës në vend të 5 siguisht që edhe kostot do të rriten në përpjesëtim.

Mendoj që ende çmimet e restoranteve janë disi të përballueshme në raport me të ardhurat por do të vijë dita që jo të gjitha restorantet do të jenë të përballueshme për të gjithë. Problemi jonë ndoshta është që duam pjata të rafinuara dhe ‘Gourmet’ por kur vjen puna tek çmimi duam të paguajmë pak.

Kur them ‘Gourmet’ i referohem pjatave të rafinuara ku shijet ndërthuren me njëra tjetrën, për të krijuar shtresa dhe jo pjatave pa fantazi që u hidhen dy kokrra shegë përsipër me shpresën dhe dëshirën për t’i bërë përshtypje klientit.

Sot dua të flas për ‘Gourmet’ por Restorantin, i cili mendoj që e mban shumë mirë emrin e tij. 
Oreks ndjellëse

Menuja nuk është shumë shumë e madhe dhe kjo më shkon për shtat me idenë që një restorant i vogël dhe i mirë nuk mund të ketë shumë pjata, por disa specialitete.

Nuk mund të them që kam provuar gjithë menunë por kam provuar një pjesë të saj dhe çdo gjë ka qënë aq e pasur sa përshkrimi.





Antipastë me Jamon dhe djathë Chevre (dhie)
Personalisht kam tendencën të zgjedh gjërat më të çuditshme në menu sepse jam gjithmonë në kërkim të diçkaje që të më habisë, dhe zakonisht kjo rrugë më çon ose në një sukses ose në një dështim të plotë dhe për fatin tim, në rastin e Gourmet, ka qënë e para.

Produktet janë të përzgjedhura dhe kombinimet e shijeve janë shumë të kuruara, dhe mbi të gjitha, prezantimi është shumë ndryshe nga ajo që kam parë zakonisht në restorantet në Tiranë. Të gjitha këto me siguri janë meritë e chef-it grek.

Picanha me pure avokado dhe finok
Gjoks pate i karamelizuar


Cheesecake me çokollatë të bardhë
Eshtë e pritshme që një restorant i tillë të jetë i shtrenjtë, kështu që pjesa e çmimeve është diçka që nuk dua të ndaloj sepse nuk është restorant që mund të hash çdo ditë, fundja as nuk mund të hash çdo ditë foie gras apo delikatesa të tilla të ngjashme.

Foie Gras me Mango
Nga ana tjetër është gjithashtu e pritshme që në një restorant me pjata aq të kuruara dhe me cmime pak më të larta, edhe shërbimi të jetë në të njejtën linjë, por jo? Mirëpo stafi i restorantit duket se ka mbetur në dilemën “jemi francezë apo shqiptarë?” dhe rezultati është vertët shumë komik. Shërbimi ka diçka që nuk shkon, nga një anë ka një tendencë për t’u sjellë si në restorant me yje, nga ana tjetër, kërkesat e tua anashkalohen, sikur nuk merresh seriozisht si klient. Të kap veshi edhe fërkime mes stafit apo disa nervozizma që të vendosin në siklet. Nga një anë pjata delikate me prezantim madhështor, por që nuk ke ku ti vendosësh në tavolinë se tavolina është për bistro’. Atëhere kamarieri si zgjidhje të thotë që mund ti ndajë ai pjatat në dysh, me një fjalë mundëson që prezantimi i chef-it të shkojë dëm, dhe ti mendon (dhe nuk ja thua) “jo po silli me gjithë tavë siç shpërndahen shishqebapët nëpër dasma!”.

Sorbeto me mollë
Thënë këto, mendoj që shërbimi është diçka që mund të përmirësohet shumë më lehtë se menuja apo pjatat, kështu që për ta mbyllur ju rekomandoj ta mbani në listën e vendeve ku duhet shkuar të paktën një herë, duke marrë parasysh çmimet pak të kripura dhe shërbimin me ngërçe.

Saturday, September 7, 2013

Një Indian në Tiranë

Kur dal për të ngrënë jashtë, preferoj të provoj shije të ndryshme nga ato që mund të përgatis edhe vetë në shtëpi, për këtë arësye pëlqej shumë kuzhinat e nacionaliteteve të ndryshme.

Çdo kuzhinë ka të veçantat e saja dhe ia vlen gjithmonë të provosh apo eksperimentosh me shije të reja, apo të ndryshme nga ato që jemi mësuar, qoftë për kuriozitet dhe qoftë për të njohur diçka më tepër nga kultura e një vendi. Personalisht mendoj që ka ardhur koha që Tirana të ketë më shumë restorante të nacionaliteve të ndryshme, për të alternuar pak zgjedhjet. Pastaj, nuk mund të ofrojnë të gjithë restorantet të njejtat gjëra sepse kemi arritur në pikën që nuk ka ‘pasta’ italiane që mund të na çudisë më.

Një mikesha ime, më dërgoi para disa javësh linkun e një restoranti të ri Indian në Tiranë. Më pëlqeu mënyra e ndërtimit të web site (që mund ta shihni këtu) dhe vendosëm të shkonim ta provonim. 

Dua të përshkruaj në këtë rast, eksperiencën në përgjithësi, pasi për të bërë një ‘analizë’ të gatimit indian duhet shumë më tepër sesa disa vizita në restorante indiane në oksident. 

Oriz i bardhe dhe Pule Madras
Restoranti ishte i këndshëm dhe pa shumë ‘salltanete’, menuja është e shkruar në dy gjuhë, pjatat janë të ndara në kategori, dhe të përshkruara, gjë që e lehtëson përzgjedhjen. Shërbimi mjaft korrekt, çmimet shumë të pranueshme. Gatimet mjaft të shijshme, dhe mendoj që janë në disa pika afër me kuzhinën që jemi mësuar ne, kuptohet përvec erëzave të shumta, pikantes, dhe ‘curry-t, sigursht. 

E gjithë eksperienca ishte shumë e kënaqshme, dhe mendoj që Chakra Jonë, është nga ato restorantet e vogla ku mund të shkosh shumë shpesh, jo vetëm kur ‘je në qejf për eksperimentime’.  






Antipaste vegjetariane
Oriz i bardhe dhe Pule Tikka Masala
Lassi e kripur

Unë do rekomandoja, pjatat kryesore të pulës ose qingjit, të shoqëruara me orizin në avull dhe për të pirë një Lassi e kripur, e ngjashme me dhallën tonë por me një shije të freskët e pikante në të njejtën kohë. 

Vërtet mendoj që Chakrës tonë i duhet t’i japim një shans...madje jo vetëm një, por disa.




Friday, August 9, 2013

Kopje të këqija: Cake Pops

Paraprakisht dua të thkesoj që tregu ynë është shumë i vogël dhe relativisht i varfër në produkte dhe është shumë e vështirë të realizosh receta të thjeshta (e jo më të ndërlikuara), ashtu siç duhen. Megjithatë ka dy mundësi, ose krijon një recetë origjinale ose realizon (qoftë me një grimcë ndryshim) një recetë ekzistuese.
Rasti I parë që do marr është një eksperiencë në një bar të ri në Tiranë, I cili më pëlqeu shumë nga pamja dhe ekspozimi, por ja si shkoi eksperienca ime e parë (dhe mendoj e fundit) tek My Cake (rrethrrotullimi i sheshit Wilson)
 Kur shkova u entuziazmova nga dukja e ëmbëlsirave në vitrina, kështu që për të shuar kureshtjen porosita Cheesecake, Cupcake dhe Cake pop shoqëruar me Cappucino. 
Me këtë të fundit (Cappuccino) nuk po merrem fare. Kështu që po 'analizoj' vetëm ëmbëlsirat: Cheesecake kishte dy variante Zupë ose Tortë më tha kamarieri, u habita por zgjodha tortën, sigurisht (Cheesecake Zupë???). Në fakt nuk ishte tortë ishte tartë, dhe shumë larg Chesecake origjinal. 

Cheesecake = Tartë
Cupcake ishte aq i ndenjur sa brumi thërmohej lehtësisht. Kremi ishte i bërë me gjalp dhe sheqer, i cili në gjuhën (e huaj) teknike quhet Buttercream. Në këtë rast kërcisnin kokrrat e sheqerit kur e haje, gjë që nuk nuk duhet të ndodhë sepse një krem i tillë duhet përgatitur me sheqer pluhur pë të qënë sa më kremoz dhe i shkrifët. 

Cupcake me sheqer e gjalp
I erdhi radha Cake pop-it. Cake pops janë disa ëmbëlsira që janë bërë trend së bashku me Cupcake kryesisht prej pamjes tërheqëse dhe përdoren shumë në festat e fëmijëve. Në thelb është një top I vogël prej keku që qëndron në një shkop si lolipop, i veshur me çokollatë zakonisht dhe i dekoruar (më shumë detaje mund të gjeni këtu). Cake pop, ashtu siç sugjeron edhe emri janë si kekë të vegjël, por jo, ishte një ëmbëlsirë komplet tjetër që dikur nëse nuk gaboj quhej Koke arapi (foto), gjendet në shumë pastiçeri dhe nuk ka ndonjë shije të veçantë.

Cake Pop 'fallco'
Cake Pop origjinal

Embëlsira që zevendesonte brumin e Cake Pop
Emërtimet që nuk përputhen me produktin nuk janë diçka e re nëpër baret e restorantet tona por mendoj që ka ardhur koha të mos i tolerojmë më. Klienti sot ka informacion për gjithçka (mjafton të bësh një kërkim në Google) dhe në momentin që ka informacion dhe paguan për atë që konsumon, ka të drejtë të mos...‘Hajë sapunin për djathë’ ose në rastin tonë ‘Kokë arapin për Cake pop’. :)

Sour!!










Tuesday, July 23, 2013

Ku të shkojmë për kafen më të mirë?


Për të alternuar pak përmbajtjen herë pas here kam vendosur të postoj nje rubrikë të titulluar: “Ku të shkojmë…? ” ku do të përpiqem të jap disa ide vendesh që më pëlqejnë për arsye të caktuara.

Në Tiranë ka aq shumë kafene dhe bare sa duket sikur pyetja do ketë nja 200 përgjigje, ndërkohë që nuk ka. Ende nuk e kam të qartë nëse e pijmë kafen sepse e duam apo sepse na është bërë zakon apo akoma më keq sepse është një produkt jo shumë i shtrenjtë (dhe e porosit sepse je ulur edhe 4 herë të tjera më parë në një lokal). Por meqënëse qëllimi i këtij posti është të përmend disa emra ku kefeja bëhet si duhet, nuk po zgjatem me motivacionin.
Kështu pra, disa nga vendet ku mund të pihet një kafe si duhet janë si më poshtë:

Adresa: Rr. Vaso Pasha, nr 14, Tiranë

Jo vetëm kafe dhe Cappuccino ‘si duhen', por edhe shumë variante të tjera kafesh të ngrohta e të ftohta ‘alla Italiana’ (sepse për ata që nuk e dinë kafja e mirë nuk pihet asnjëherë në Starbucks!). Tek Çoko mund të gjeni edhe disa ëmbëlsira të shijshme apo snacks për të shoqëruar kafen tuaj.




Adresat: Rr. Mine Peza ne krah të Ministrise së Drejtësisë;  Rr. Muhamet Gjollesha  përballë Fakultetit të Arkitetkturës, Tiranë

Tek ‘Element Lounge dijnë vërtet të punojnë me kafen, për këtë arësye përveç Capuccino-ve dhe Espresso-ve të mira shumë shpesh mund t’ju përgatisin Cappuccino me figura shumë simpatike të vizatuar në qumësht (të quajtura Latte Art).  Dicka tjetër pozitive është që ndodhen në pika të ndryshme të Tiranës (jo në bllok), dhe mund të qëllojë një afër shtëpisë, si puna ime për shembull.  



Adresa: Rr. Papa Gjon Pali (përballë Piramdës), Tiranë

Tek baret që përmenda më sipër kafetë e përdorura janë Lori Professional dhe Illy, kurse tek Quaffe Bar, përdoret Quaffe (sigurisht), dhe ky mund të jetë një shembull se si mund të bëhen kafe dhe Cappuccino të mira pavarësisht llojit të mishelës, sepse rëndësi ka teknika.


Tribeca Bar
Adresa: Rr. Vaso Pasha, Tiranë

Tribeca është një tjetër vend ku më pëlqen të pi kafen dhe Cappuccino-n. Diçka e lezetshme tek Tribeca është që gjithmonë kafeja vjen e shoqëruar me një liker aromatik të bërë vetë. 



Për ta mbyllur: Secili nga ne ka shije të ndryshme, dhe persona të ndryshëm preferojnë marka të ndryshme kafesh, por është e rëndësishmë të njohësh shijen tënde dhe të dallosh cilësinë. Diçka që më mërzit janë zgjidhjet ‘alla shqiptare’ ku kafe me cilësi më të ulët të serviren për kafe me cilësi të lartë (psh kafe Lori si Illy). Në këtë mënyrë përveç mashtrimit, klienti nuk ka mundësi të kuptojë shijet e tija dhe të zgjedhë atë që i pëlqen. Për ilustrim: Këtë e kam hasur tek Internacionali, të cilit me gjithë respektin, i ka mbetur vetëm nami i dikurshëm, se kafja është gjithmonë e djegur dhe ëmbëlsirat bajate.

Kur të kujtohem ose të provoj vende të tjera, do t’i përfshij edhe ato, deri atëhere, pijeni nga një Espresso apo Cappuccino siç duhet dhe mos dëmtoni shqisën tuaj më të mirë :)






Tuesday, July 9, 2013

Amor, dashuri e gjatë.

Para se të bëj një shkrim në blog, përpiqem të vizitoj dhe të provoj të paktën dy ose tre herë atë restorant. Këtë ‘rregull’ e kam vendosur sepse shumë shpesh më ka ndodhur të mos marr dy herë të njejtin shërbim në të njejtin vend.
Ky blog nisi si një formë rekomandimi për restorante, bare, zona pushimi etj në qytete të ndryshme të Shqipërisë, por ndonjëherë më duket e pamundur të bëj një vlerësim apo rekomandim pa patur frikën që diçka do ndryshojë dhe cilësia nuk do të jetë e njejtë.
Këtu del në pah një mangësi e madhe e tregut të shërbimeve: mungesa e vijueshmërisë dhe mbajta e cilësisë.

Sot kam dëshirë të marr një shembull që unë personalisht e vlerësoj, pikërisht për ruajtjen e një cilësie konstante vit pas viti.

Restoranti Amor është mjaft i njohur, kështu që nuk dua të zgjatem, por nuk mund të mos përmend faktin që sa herë kam shkuar çdo gjë i ka plotësuar të gjitha pritshmëritë e mia (modeste) kulinare. Përzgjedhja e përbërësve, shpesh herë të porositur larg për të ofruar diçka ndryshe, ashtu si dhe shija, prezantimi dhe shërbimin janë testuar vit pas viti dhe për këtë arësye i ka marrë të gjitha “votat” e mia.


Antipastë djathrash francezë dhe  spanjol
Gjoks pate i tymosur
Foie gras me reçel ftoi
Delikatesë italiane- reçel domatesh jeshile

















Cannelloni të freskët të shtëpisë të mbushur me pulë dhe kërpudha të freskëta

Kondrafileto e mbushur me domate të thata dhe Mozzarella

Tagliata me piper të kuq dhe me piper jeshil
Fotot që po sjell këtu janë bërë në vizita të ndryshme tek Amor, kjo për të treguar që nëse ekziton vullneti për t’i bërë gjërat mirë, mund të mbahet e njejta cilësi dhe përparësi edhe për 8 vjet me radhë. 

Sigurisht, kjo ndodh kur e do dhe respekton punën/biznesin tënd, dhe kujdesesh që çdo klient që del nga dera jote, jo vetëm të rikthehet por të sjellë edhe të tjerë me vete.
Nga ana tjetër, ne si klientë, duhet të bëjmë një përzgjedhje në bazë të asaj çka marrim mbrapsht për paratë e shpenzuara, e jo të rendim pas trend-eve.

Me një fjalë nuk ka dashuri të gjatë nëse nuk është  reciproke ;)