Monday, July 9, 2012

Kujt nuk i pëlqen Pizza? :)


Mbaj mend në fillim të viteve ’90 pranë shtëpisë sime u hap një piceri italiane që quhej “La Golosona”, sigurisht që unë çmendesha për picën aty edhe pse tani nuk e mbaj mend fare dhe nuk di nëse i ngjasonte Pizza-s së duhur apo jo, gjithsesi u mbyll relativisht shpejt dhe u rihap pak më vonë, më ndryshe. Më pas erdhi periudha e picerive kudo nëpër Tiranë, sidomos ato të përqendruara tek ish- Parku “Rinia” nga ku disa prej emrave mbetën në treg edhe më tej, madje edhe sot. Vështirë të arrij të kujtoj se si kanë qenë këto piceri sepse kam qenë e vogël dhe për më tepër nuk e kisha provuar më parë Pizza-n e vërtetë, në atdheun e saj, e nuk mund të bëja asnjë krahasim. 

Që nga ajo kohë, sigurisht që pizza dhe pizzeritë  kanë ndryshuar shumë, janë perfeksionuar dhe veçuar nga restoranti. Pizza, edhe pse në dukje shumë e thjeshtë dhe ‘primitive’, ka nevojë posaçërisht për ato përbërës, asgjë më shumë, më pak apo ndryshe.
Është gati si shkencë ekzakte: brumë i hollë i çrregullt nga përpunimi me dorë dhe i pjekur shumë, salcë domateje të hollë, mozzarella, e cila kur shkrihet krijon disa rrathë të bardhë, dhe borzilok....e më pas c’të duash....
Ajo që më duket e çuditshme është se si me kalimin e gjithë këtyre viteve, disa piceri nuk evoluan, madje ato që ishin të parat dhe e kishin tregun komplet të lirë nga konkurrenca, vazhdojnë edhe sot të prodhojnë Pica-bukë :(

Megjithatë, mendoj që nuk është shumë e lehtë të gjesh një picë të mirë, jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë. P.sh mbaj mend herën e parë- dhe të fundit- që kam ngrënë në Pizza Hut, dhe ishte një zhgënjim i madh, të cilin tani e kuptoj përse, kurse në atë kohë jo :(
Kuptohet, edhe në atdheun e Pizza-s nuk gjen kudo më të mirën, madje jam shumë kurioze të provoj Pizza në Napoli, në vendin e origjinës, sepse thonë që ka diçka më tepër që e bën unike.

Dilemës sime të cilësisë, ju shtua edhe dilema gjuhësore: Pizza apo Pica?
Për shkak të besimit tim te simboli dhe tek marka, kam tendencën që të përdor terminologjinë në gjuhë të huaj sepse më duket që i atribuon më mirë vlerat origjinale të pizza-s në rastin tonë, kurse kur themi pica, përveç ngaterresës së gërmave, më duket sikur nuk flas për diçka autentike, por sikur po flas për ndonjë kopie. Nisur nga kjo mendova që gjatë shkrimit t’i referohem me “Pizza”, atyre të vërtetave dhe “Pica” atyre që ngjasojnë me ato të vërtetat.

Përveç debateve cilësore e gjuhësore, në Shqipëri mund të gjesh Pica të bëra mjaft mirë, dhe një nga vendet ku më ka shijuar Pica është “Amantia” në Vlorë. Është rastësi që është përsëri një restorant në Vlorë por meqënesë fokusi i blogu-t është udhëtimi, sigurisht që frymëzohem gjatë tyre, dhë meqë fundjavat janë një ece-jake Tiranë – Dhërmi, rrugës gjej edhe gjëra që më pëlqejnë. Gjynah që janë të pakta :(

 Për t’u kthyer te picat, ky vendi në Vlorë është shumë i thjeshtë, dhe gati popullor, por më mirë, se fundja është buzë detit e njërëzit vijnë me rroba plazhi dhe vijnë për të ngrënë diçka të shpejtë, të parrezikshme dhe sigurisht pa shpenzuar shumë.
Picat  këtu janë vërtet shumë të shijme, dhe do t’i quaja madje Pizza po të kishin patur Mozzarella, sepse ajo i bën ende ndryshe Picat shqiptare. Besoj që për shkak të konformimit të çmimeve në treg, piceritë ende nuk përdorin Mozarrella të freskët, sepse kjo do të rriste shumë çmimet, edhe pse mendoj që ka ardhur momenti për të diferencuar cilësitë. Për shembull, më është dukur shumë pozitive mundësia e zgjedhjes që ofron Piceri “Era”, ku kërkrah gamës së picave standarte, janë edhe picat Italiane, të cilat kushtojnë më shtrenjtë por të paktën mund të zgjedhësh sipas preferencës. Parimisht, duket disi e çuditshme të ofrosh produkt me dy standarte, sepse mirë Pizza Italiane që është italiane, po ajo tjetra i bie që të jetë shqiptare (?!). Gjithsesi, jam pro shtresëzimit të shërbimeve dhe produkteve.

Nejse, për të vijuar me “Amantian”, shërbimi është diçka tjetër që i bën të jenë ndryshe në Vlorë, ironike kjo, në qytetin ku kanë lindur plot barceleta me kamarierë :P. Shërbimi është vërtet shumë i shpejtë, nuk është lluksoz sigurisht, por është praktik, madje mjaft i kujdesshëm edhe ndaj ndonjë kërkese të çuditshme, edhe pse lokali mund të jetë plot e përplot – gjë që nga ana tjetër është garanci për qarkullimin e madh të klientëve dhe rrjedhimisht të produkteve.
Në fund, fatura e lehtë, perveç se justifikon përfundimisht edhe ambjentin dhe modestinë e lokalit,  të lejon të largohesh pa atë ndjesinë që ke pësuar një padrejtësi, përkundrazi, je sigurtë që do të kthehesh përsëri, sepse lluksi është ai që mund të sakrifikosh për të marrë në këmbim produktin cilësor dhe çmimin e pranueshëm.
Sweet.  

Pema ime e preferuar e Manit është këtu :)