Friday, August 24, 2012

Dhërmiu - Ish-Parajsa (pjesa II)


 Kohët e fundit, nërrjetet sociale, përveç fotografive dhe “check in”-eve ka shumë, por vërtetë shumë statuse që lidhen me shërbimin e keq në Dhërmi (kryesisht), dhe imgjinoj që ka edhe shumë të tjerë si puna ime që kanë po aq shumë ankesa por që thjesht nuk i kemi postuar. Në çdo diskutim apo tavolinë ku flitet për Dhërmiun ka pakënaqësi dhe pothuaj secili ka nga një histori për të treguar, shpesh të njejta, gjithmonë të shëmtuara. Teksa po shkruaja pjesën e parë të shkrimit, kam takuar miq me të cilët kemi diskutuar për disa nga vendet që kam përmendur në shkrim dhe vura re se mendimet janë shpesh të ndryshme për të njejtat vende. Për shembull, me një miken time po bisedoja për “Mykonos resort”ku ajo kishte kaluar pushimet dhe ishte mjaft e kënaqur, ndersa miq të tjerëkishin pakënaqësi nga “Nikki Beach”. Sigurisht, përvojat janë të ndryshme dhe ndonjëherë ka disa arsye pse një vend, herë mund të na duket i mirë e herë jo, duke filluar që nga predispozita jonë e duke vijuar me kë jemi shoqëruar dhe nëse njohim dikë (mundësisht pronarin ose menaxherine lokalit). Përpos të gjitha këtyre, ajo që mbetet është fakti se këto vende nuk kanë një standart në shërbimin që ofrojnë dhe kjo bën që një herë të jetë mirë e një herë jo. Por, klienti nuk mund të luajë bingo me shpenzimet e tij dhe as ofruesit e shërbimit nuk mund të tallen me klientin. 

Evente dhe shembull dekori







Trafik makinash luksoze

Përse vijmë përsëri këtu?
Kjo është pyetja e duhur që duhet t’ia bëjmë vetes çdo herë që vendosim të shkojmë në Dhërmi dhe vendosim të shpenzojmë mesatarisht 17 000 lekë për një fundjavë. Përgjigjja për mua ka qenë deti i mrekullueshëm por përveç faktit që ai po shkatërrohet, mbetet e pamjaftueshme përballë arsyeve përse nuk duhet të shkojmë. Mbaj mend, para 5-6 vitesh (në mos gabohem), Saranda u boshatis nga pushuesit për shkak të çmimeve shumë të shtrenjta dhe shërbimit jo të mirë. Atëhere nuk kishte shumë mundësi të tjera dhe mungesa e vizave kushtëzonte zgjedhjet, e përsëri klientët u larguan. Klientët në këtë rast ndoshta ishin më pak të ‘shëtitur’ se sot, ndoshta kishin më pak pretendime, më pak para por ndoshta më shumë vullnet. Klienti dhe ofruesi i shërbimit ndërveprojnë dhe ajo që nuk kuptoj është se si një klient i keqtrajtuar rikthehet në të njëjtin vend. Kjo e bën të mendojë ofruesin e shërbimit se është në rregull.

Një natë shkova tek "Havana", e dija që edhe natën nuk duhet të shkoja (meqë ditën nuk shkoja) por e mora me sportivitet. Bëra shumë  gabim, por më bindi përfundimisht që nuk duhet të ve më këmbë në atë vend.
Shkova relativisht herët dhe prita në radhë edhe pse më parë kam qënë kliente e rregullt e lokalit. Pagova 500 Lek në hyrje kur nuk ka asnjë event dhe kur në lokalet e tjera nuk paguhet. Brenda ishte bosh por çdo tavolinë ishte e rezervuar. Gjetëm një gjysmë tavoline sepse e ndamë më një grup që na e mundësoi këtë. Shkuam për të porositur pije dhe na thanë që do vinte kamarieri. Nuk erdhi. E kërkuam, gjetëm një kamarier por na tha që nuk ishte përgjegjës i asaj pjese. Gjetëm një tjetër, ky nuk ishte kamarier, ishte menaxher. Shkuam te bari, porositëm. Pijet erdhën gabim. Paguam më shumë, por kjo s’ka problem se e kuptoj pse-në. Lokali vazhdonte të ishte bosh. Klientë vinin, kërkonin një copë vend ku të mbështesnin një gotë dhe vende nuk kishte. Pashë shumë klientë që tentonin të afroheshin nëpër tavolinat e rezervuara dhe ‘përziheshin’nga kamarierët apo menaxherët. Frustrim. Pastaj filluan të vijnë rezervuesit.Shkëlqenin. Mosha mesatare 16 vjeç. Kamarierët vërshonin drejt tyre. Fotografi. Shampanjë. Minifunde, taka, peroksid, xixa, taka. Frustrim. Pastaj u hoq muzika se ishte ora 12. Pritëm pak. U rikthye muzika. DJ Aldo. Frustrim. Laca. Muzikë bullgare. Njerëz që rrinë. Shampanja lumë. Shkova në tualet. Po ç’tualet?!! Pisllëk.Taka, minifunde, pudër, krem, xixa, shëmti. U ktheva. Muzika tmerr. Të njejtat këngë çdo ditë e çdo natë. Të shëmtura. Edhe komerciale edhe të para 3 viteve.
Frustrim. Prishje qejfi. Tmerr.

Kjo ishte një darkë e zakonshme në “Havana” Dhërmi. I rashë shkurt se akoma mërzitem kur e kujtoj. E di që kjo është edhe eksperienca e shumë të tjerëve dhe nuk është asgjë e re. Di edhe që ka nostalgji për atë vend në një kohë tjetër, ku çdo gjë ishte ndryshe. Por vit pas viti përkeqësohet dhe nuk e gjen më veten aty. Ky është vendi ku ti je klienti më pa vlerë, sepse nuk të duan ty. Madje nuk e dinë që ti je dhe quhesh“klient”. Tashmë klientela më e pëlqyer është ajo që rezervon tavolinë, blen shampanjë me fishekzjarre, vishet, ngjishet dhe rri.
Nuk jemi ne që blejmë 2-3 apo qoftë edhe më shumë pije. Që duam të shijojmë natyrën e bukur dhe muzikën e mirë. Ne jemi demode, sepse nuk jemi askushi. Nuk jemi as ‘klienti’, pra nuk i duan paratë tona. E kuptoj, ekonomi. Por ka gjasa që klientët që duan sot, të jenë ata që nuk vijnë sepse dinë se çfarë duan por sepse vijnë edhe të tjerët. Mund të jenë ata që nuk u intereson shërbimi dhe as nuk i bën përshtypje sepse ata e marrin atë që duan, duke shpenzuar, duke ngarë makina luksoze pra duke ‘blerë’ vëmendjen. Nëse këta do shkonin diku tjetër nuk do binin në sy, nuk do mund të bënin ‘show’.

Shërbimet në Dhërmi po shtohen çdo vit. Përkrah restoranteve, plazheve, bareve, parkingjeve, dyqaneve, motorrëve të ujit me qera, tashmë ka edhe 3 kazino. Fiks ajo që kishim nevojë!

Lojra Fati (njëra nga)

Parcing?
E meqë po flasim për shumëllojshmëri shërbimi, ajo që nuk kuptoj fare fare është përse duhet të jenë të gjitha vendet njësoj?! Përse unë që u mërzita nga “Havana”, të mos kem mundësinë të shkoj diku tjetër?! Përse të mos mund të zgjedh mënyrën se ku dhe si të shpenzoj paratë e mia?!
Përse të gjitha plazhet janë njësoj, përse shërbimi është kudo njësoj (i keq), përse cilësia është kudo e ulët?! Sepse askush nuk mendon për klientin. Për fat të keq, një pjesë e ‘investitorëve’ që mbajnë titullin a lartmadhënishëm ‘Pronari’, nuk e bëjnë biznesin që t’i pëlqejë klientit, por që t’i pëlqejë atij dhe ai aty të jetë i plotfuqishmi. Arenë me një fjalë, jo shërbim. Problemi është që këta në të shumtën e rasteve qëllojnë të jenë pa pike imagjinate, kreativiteti, inteligjence, shkollimi (ndoshta edhe të gjitha bashkë) dhe duan të bëjnë gjëra madhështore, që ata të duartrokiten dhe të kihen zili.
Pasi përfundohet vepra e madhe, e mbi të gjitha masive, duhet të mbushet me njerëz (jo me klientë, se nuk përdoret ky term). Mirëpo qëtë mbushet nuk mjafton shpura e ‘pronarit’ por duhet të vijnë edhe të tjerë. Atehëre, dilet vërdallë, merret shembulli më i mirë, që në rastin konkret është darka tek “Havana”me shampanjë dhe dreka te “Lollipop” me Corona e me Dj Aldo-n (apo të ngjashëm). Ky është shembulli i suksesit!!
Vendet masive dhe masa nuk është dhe asnjëherë nuk do të jetë e rafinuar, masa sigurisht që nuk do cilësi, por masa është një grupim, një grupim me maksimumi 2000 veta që duan të njejtën gjë. Por kur nuk ka aq shumë njerëz që të mbushin kaq shumë bare të këtij tipi dhe ndërkohë ka edhe njerëz me shije të ndryshme, përse të gjitha vendet duhet të jenë masive?
Rezultati: 1 grupim njerëzish të cilit po i referohem si“masa”, 100 bare njësoj që presin ‘masën’ që ndërkohë është diku tjetër, dhe një grup i vogël referuar si “kapriciozët” që nuk kanë asnjë vend ku tëshkojnë.

Sour, Sour, Sour





4 comments:

  1. This comment has been removed by the author.

    ReplyDelete
  2. keni pershkruar realitetin per dhermiun prandaj dhe neve beme dicka tjeter duhet te na provoni SUNSET HOTEL eshte ne fshat larg atyre qe komentoni FALEMINDERIT tel. 0695600451 (00355)+6946945630

    ReplyDelete
  3. Ashtu shpresoj vertet,sepse ka shume nevoje per vende ndryshe per ata njerez qe duan te shijojne me teper natyren sesa ate paçavuren qe kam pershkruar me lart. Ju qendroni hapur edhe gjate dimrit apo stineve te ndermjetme? Nese po, kjo eshte dicka vertet shume pozitive...:)

    ReplyDelete
  4. Tani qe po kujtohem, nuk jam shume e sigurte, por me duket se kam qene tek Sunset por nuk di te them nese eshte ky qe pershkruani ju apo jo. Nese eshte ky qe kam qene, ka nje pamje shume te bukur e nje pishine nga pas, dhe pergjithesisht na ka pelqyer. Une kam qene para 3 vitesh kur ende po ndertohej dhe me siguri ka ndryshuar qe nga ajo kohe. Ne ate kohe dhermiu ishte edhe me i lire dhe dhomat 60 Euro/nata pa mengjes ku njera dhome ishte shume me e madhe se tjetra dhe kushtonin njesoj na u duk pak e pabalancuar...:( megjithate sic thashe ka kaluar shume kohe qe atehere...:)

    ReplyDelete