Friday, November 8, 2013

Gourmet, alla shqiptare.

Më zbavit shume soditja e fenomeneve dhe tendencave që qarkullojnë në momente të caktuara këtu në Tiranë. Sigurisht kjo e mundësuar dhe e lehtësuar nga mediat sociale ku çdo informacion merr dhenë brenda orës. Kështu shumë shpejt popullohen baret, restorantet, lindin fiksimet për gatime të ndryshme, apo për produkte që më para nuk njiheshin. Shoh gjithashtu një tendencë për të rafinuar produktet dhe për të zgjeruar gamën nga ana e restoranteve të cilën personalisht e vlerësoj shumë duke marrë parasysh se sa e vështirë është të gjesh produkte cilësore dhe specifike në tregun tonë. Kur kujtoj që dikur menutë e restoranteve ishin plot me tortelini pana proshutë mendoj që ka një tendencë shumë pozitive për të ndryshuar dhe për t’u përmirësuar. Sigurisht përmirësimi ka koston e vet, dhe nëse pjatat kanë 20 përbërës në vend të 5 siguisht që edhe kostot do të rriten në përpjesëtim.

Mendoj që ende çmimet e restoranteve janë disi të përballueshme në raport me të ardhurat por do të vijë dita që jo të gjitha restorantet do të jenë të përballueshme për të gjithë. Problemi jonë ndoshta është që duam pjata të rafinuara dhe ‘Gourmet’ por kur vjen puna tek çmimi duam të paguajmë pak.

Kur them ‘Gourmet’ i referohem pjatave të rafinuara ku shijet ndërthuren me njëra tjetrën, për të krijuar shtresa dhe jo pjatave pa fantazi që u hidhen dy kokrra shegë përsipër me shpresën dhe dëshirën për t’i bërë përshtypje klientit.

Sot dua të flas për ‘Gourmet’ por Restorantin, i cili mendoj që e mban shumë mirë emrin e tij. 
Oreks ndjellëse

Menuja nuk është shumë shumë e madhe dhe kjo më shkon për shtat me idenë që një restorant i vogël dhe i mirë nuk mund të ketë shumë pjata, por disa specialitete.

Nuk mund të them që kam provuar gjithë menunë por kam provuar një pjesë të saj dhe çdo gjë ka qënë aq e pasur sa përshkrimi.





Antipastë me Jamon dhe djathë Chevre (dhie)
Personalisht kam tendencën të zgjedh gjërat më të çuditshme në menu sepse jam gjithmonë në kërkim të diçkaje që të më habisë, dhe zakonisht kjo rrugë më çon ose në një sukses ose në një dështim të plotë dhe për fatin tim, në rastin e Gourmet, ka qënë e para.

Produktet janë të përzgjedhura dhe kombinimet e shijeve janë shumë të kuruara, dhe mbi të gjitha, prezantimi është shumë ndryshe nga ajo që kam parë zakonisht në restorantet në Tiranë. Të gjitha këto me siguri janë meritë e chef-it grek.

Picanha me pure avokado dhe finok
Gjoks pate i karamelizuar


Cheesecake me çokollatë të bardhë
Eshtë e pritshme që një restorant i tillë të jetë i shtrenjtë, kështu që pjesa e çmimeve është diçka që nuk dua të ndaloj sepse nuk është restorant që mund të hash çdo ditë, fundja as nuk mund të hash çdo ditë foie gras apo delikatesa të tilla të ngjashme.

Foie Gras me Mango
Nga ana tjetër është gjithashtu e pritshme që në një restorant me pjata aq të kuruara dhe me cmime pak më të larta, edhe shërbimi të jetë në të njejtën linjë, por jo? Mirëpo stafi i restorantit duket se ka mbetur në dilemën “jemi francezë apo shqiptarë?” dhe rezultati është vertët shumë komik. Shërbimi ka diçka që nuk shkon, nga një anë ka një tendencë për t’u sjellë si në restorant me yje, nga ana tjetër, kërkesat e tua anashkalohen, sikur nuk merresh seriozisht si klient. Të kap veshi edhe fërkime mes stafit apo disa nervozizma që të vendosin në siklet. Nga një anë pjata delikate me prezantim madhështor, por që nuk ke ku ti vendosësh në tavolinë se tavolina është për bistro’. Atëhere kamarieri si zgjidhje të thotë që mund ti ndajë ai pjatat në dysh, me një fjalë mundëson që prezantimi i chef-it të shkojë dëm, dhe ti mendon (dhe nuk ja thua) “jo po silli me gjithë tavë siç shpërndahen shishqebapët nëpër dasma!”.

Sorbeto me mollë
Thënë këto, mendoj që shërbimi është diçka që mund të përmirësohet shumë më lehtë se menuja apo pjatat, kështu që për ta mbyllur ju rekomandoj ta mbani në listën e vendeve ku duhet shkuar të paktën një herë, duke marrë parasysh çmimet pak të kripura dhe shërbimin me ngërçe.

5 comments:

  1. " Për të kompesuar të gjithë këto të mira vjen në ndihmë stafi i restorantit i cili duket se ka mbetur në dilemën “jemi francezë apo shqiptarë?” dhe rezultati është vertët shumë komik."
    Hahahaha sa kam qeshur me kete pjese! Jam shume dakord, me ka ndodhur ne disa restorante kjo situata! Gourmet e kam patur ne liste per ta provuar, do shkoj :)

    ReplyDelete
  2. E vertete qe nuk ndodh vetem aty, edhe mua me ka ndodhur ne disa restorante (ose edhe wine bars), ne fakt. :)

    ReplyDelete
  3. Shume i sakte koncepti i menuse, sa me e mbledhur aq me cilesore permbajtja. E kam degjuar per here te pare nga Gordon Ramsey dhe qe athere e kam si rregull personal sa here shkoj ne restorante.

    ReplyDelete
    Replies
    1. Ose cilesi ose sasi...te dyja zor se puqen :).

      Delete