Friday, August 24, 2012

Dhërmiu - Ish-Parajsa (pjesa I)


Përtej të gjithë premtimeve dhe parashikimeve që kisha për të mos pushuar më në Shqipëri, përfundova në Dhërmi. Zgjedhja ishte e sforcuar në sajë të disa rethanave të caktuara, kështu që u nisa me idenë që do të bëja vetëm pushim, sepse vërtet kisha nevojë, dhe përpos kësaj e dija që nuk mund të pretendoja më shumë se kaq. Pushimin e mendova sipas një rregulli shumë bazik:
Pushim = Gjumë+Plazh.


Gjumi
Hoteli ku qëndrova ishte i ri, quhej “Greccia Hotel”, përveç emrit (Greqi në italisht???!!) ishte vërtet shumë i bukur, i pastër dhe komod, i ndërtuar më materiale cilësore dhe me kujdes. Dhomat ishin me pamje shumë të bukur nga deti dhe me lehtësirat e nevojshme. Ishte një nga ato hotele që do t’i rizgjidhja edhe nëse do të kisha nevojë për një fundjavë buzë detit në një nga stinët e tjera.
Ajo që nuk pata të qartë ishte “politika” e çmimeve të hotelit, sepse çmimet me sa duket ishin aq të ndryshueshme saqë edhe pasi kisha paguar 2 javë më parë 50% të shumës të qëndrimit tim prej 9 netësh, pati një tentativë për të ndryshuar çmimin sepse tashmë dhoma vlente 60 Euro/nata.
Përveç kësaj, kalova 4 ditët e para të qëndrimit tim në hotel duke iu përgjigjur pyetjes “Goce ku po shkon ti?” sa herë hyja në hotel, meqënëse nuk kishte një recepsion dhe recepsionist dhe me sa duket pronari kishte probleme me kujtesën fotografikeJ

Për paralelizëm (figurativ), vjet në Mykonos ku kalova 1 javë të mrekullueshme, nuk bëra asnjë parapagesë për rezervimin në një hotel në qendër të ishullit në periudhën më të populluar, edhe pse çmimi i dhomës ishte disa herë më i lartë dhe gjatë qëndrimit tim në hotel personeli i hotelit jo vetëm që më mbante mend fytyrën (madje edhe emrin) por ishin gati të ndihmonin për çdo lloj kërkese në çdo orë të ditës apo të natës qoftë. Gjithsesi, gjumin e sigurova.

Plazhi
E dija që “plazhet” që NUK bënin për mua ishin “Lollipop dhe “Havana, kështu që mendova të qëndroja sa më larg tyre dhe muzikës së tyre ‘nevrikosëse’. Për fat të keq, planin për të bërë plazh të qetë dhe natyral, ma ndryshoi makina që m’u prish në Llogara, kështu që nuk shkoja dot shumë larg. Plazhet që mund të vizitoja në këmbë ishin në pjesën ë Dhërmiut, kështu që i mora me rradhë...dhe u torturova! Nuk pati asgjë të re për sytë dhe veshët e mi, përveç se shkatërrimi me hapa galopantë. Dikur, edhe mund të gjeje një plazh jo privat, pa motorrë uji, pa muzikë tmerrësisht të lartë (dhe të shëmtuar) dhe kapardisje të shtirur, kurse në ditët e sotme nuk e ke këtë shans.
Një ditë shkova tek “Whisky, u kënaqa për plot 3 orë,  sepse në orën 14.00 muzika u ngrit në kupë që qiellit për festën e drekës...që nuk di a mori kush pjesë, sepse mua të gjithë pushuesit m’u dukën shumë të përgjumur dhe të painteresuar...por ndoshta pasi ika unë (rreth orës 14.05) do të kenë ndodhur çudira me siguri.
Disa nga plazhet që vizitova ishin edhe “Mykonos Resort, i cili dy vjet më parë quhej “Blu-Blu Dhërmi”, ishte një oaz i këndshëm dhe shumë i qetë. Këtë vit ofronte si risi shezlongët më të parehatshëm të bregdetit, shoqëruar me plot 10 këngë rumune/bullgare përgjatë gjithë ditës. Ajo që më bëri shumë përshtypje është se si një "Resort" ku dhomat (kolibet) kushtojnë diku tek 75-100 Euro/Nata mund të shërbejë kafe me cilësinë më të të ulët në treg.
Tek “Lollipop e dija që nuk duhet të shkoja dhe kështu bëra duke i kursyer vehtes edhe ca festa dreke mes Coronave dhe tigrave të sfilitur të festave, që tek tuk u bie të fikët, që rrezikonin dëmtime serioze nga rënia e papritur nga banaku/stoli/karrigia/ tavolina etj.
Te “Havana”, di vetëm që nuk duhet të shkoj dhe nuk jam informuar mbi tendencat e fundit, por më mjafton fakti që nuk është më ai vendi i dikurshëm që të gjithë donim fort. Megjithatë, për “Havanën” kam shumë, por shumë gjëra për të thënë.

Tek “Dar Bar si “oazi” i fundit, nuk kishte vende gati asnjëherë kështu që nuk dija a ia vlente të tentoja.

E pasi u enda e u enda, përfundova në një rrip të hollë “pa zot” ku munda të vendos çadrën time e të mos degjoja asnjë zhurmë tjetër përveç detit- atë që doja të dëgjoja.

Plazhi nuk më kënaqi, edhe pse uji dhe natyra janë ende (për fat) të mrekullueshëm, puna është, edhe për sa kohë do të jetë kështu? Kam frikë se edhe për shumë pak.

Restorantet
Restorantet janë pjesa që më mërzit më tepër në Dhërmi. Vendi më i famshëm tashmë është “Piratët, që vërtet ofron një pamje shumë të bukur, por nuk di se si arrijnë që edhe ushqimi më i thjeshtë, si sallata, për shembull, të mos ketë pikë shije, ndërkohë që po të lexosh menunë përgatitesh për kuzhinë të sofistikuar dhe kushedi se çfarë përvoje kulinare.
Sigurisht, të kërkosh të pish një gotë verë të mirë (meqë je me pushime dhe do t’i bësh qejfin vehtes) por nuk mund të pish një shishe të tërë, është një kërkesë pa pikë kuptimi.
Një ditë, m’u desh të ha tek “Sarajet Pashait, ku e di që në fillim që do të hash keq. Përveç se pjatat na erdhën për 5 minuta, ishin sigurisht të gjitha pa shije. Që të mos keqkuptohem, nuk kam asgjë kundra ushqimit që serviret shpejt, sidomos pasi vite të tëra je ankuar për të kundërtën, por natyrshëm lind pyetja sa kohë do një oktapod zgare që të piqet? Sigurisht që do ca kohë. Pyetja tjerër që i bëra vetes është përse një oktapod duhet të jetë i marinuar me erëza dhe madje edhe pikant? Sepse përveçse është i parapërgatitur, nuk është i freskët (truk i vjetër ky i marinimit për të mbuluar alternimin e aromës tek frutat e detit).
Një mëngjes, për lehtësi vendosëm të hanim mëngjes një një Bar-Restorant-Club-Pub-Disko- Cirk a jo, cirk jo,  që quhet “2 Lips”, me parimin “Një vezë nuk ka nevojë për mjeshtëri”, por e kishim gabim, sepse në Dhërmi, çdo gjë mund të bëhet keq, specialitet i zonës ky!

Fotot ilustrojnë pamjen dhë çmimin për “Omeletën’ me erë vaji, vezën sy të djegur, margarinën, djathin e bardhë 300 leksh(kg), dhe reçelin plastik. Për kafen...lere fare.
  

Mëngjesi pa shije


Sour, Sour, Sour

No comments:

Post a Comment